Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar se ka vdekur një 64-vjeçar nga ky qytet i infektuar me koronavirus, përcjell InLajmi.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka bërë me dije se kjo është vdekja e parë nga COVID-19 në këtë komunë.
Postimi i plotë i tij:
Sapo jemi njoftuar se në Klinikën Infektive në Prishtinë, ka ndërruar jetë një qytetar i yni 64 vjeç, i identifikuar me #COVID19. I ndjeri është nga komuniteti serb dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes e miqve.
Kjo është vdekja e parë e shënuar në komunën tonë nga virusi SARS-CoV-2. Ky rast duhet të na vetdijësojë të gjithëve që të vazhdojmë kujdesin dhe t’i respektojmë udhëzimet nga institucionet shëndetësore.
Ju lutem bartni maskat, mbani distancën dhe dezinfektoni duart vazhdimisht. Me këto tre hapa të thjeshtë siguroni veten dhe tjerët rreth jush.
Edhe njëherë, ngushëllimet më të sinqerta familjes!/InLajmi/