Kandidati i AKR-së për deputet, njëkohësisht ministri i ekonomisë, Valdrin Lluka përmes rrjetit të tij social ka thënë se ka bindje liberale për sa i përket mbulesave nëpër shkolla.
“Fillimisht dëshiroj të theksoj se bindjet e mija politike janë liberale, rrjedhimisht unë besoj në të drejtat dhe liritë e secilit individ për të vendosur për vete, andaj edhe në këtë rast besoj se secili individ i moshës madhore, i vetëdijshëm, ka të drejtë të vendosë vetë nëse do të bartë shami apo ndonjë simbol tjetër fetar.” ka thënë Lluka.
Ai gjithashtu ka thënë se ka raste kur deklarimet e tij po keqinterpretohen.
“Duke qenë pjesë e jetës publike, jo rrallëherë ndodh që deklarimet mediale të keqinterpretohen, me qëllim ose pa qëllim” ka shtuar Lluka.
Më poshtë keni postimin e tij të plotë
Postimi i plotë:
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote” (El kehf: 46)
Për dhe rreth mbajtjes së shamisë në shkolla:
Duke qenë pjesë e jetës publike, jo rrallëherë ndodh që deklarimet mediale të keqinterpretohen, me qëllim ose pa qëllim!
Deklarata ime ka qenë për fëmijët në shkolla, të moshës së re, të cilët mbaj mendimin se nuk duhet mbuluar e as të imponohet mbulimi i tyre nga prindërit. Fëmijët janë pjesa më e bukur e jetës, prandaj edhe duhet të shihen si të tillë.
Personalisht kam shumë miq praktikues të devotshëm dhe këtë e respektoj shumë. Një nga ta është edhe mikja ime Refiqe Ternava, më të cilën jemi bërë bashkë për shtetin!