239 shkencëtarë nga 32 vende të ndryshme konfirmojnë se koronavirusi përhapet edhe nga ajri. Virusi, sipas tyre mund të qëndrojë pezull në ajër në mjedise të mbyllura dhe kur dikush thith ajrin me virus do të infektohet.
Gazeta “The New York Times” shkruan se shkencëtarët do t’i dërgojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë një letër të hapur ku do i kërkojnë të ndryshojë rekomandimet për COVID-19, në mënyrë që të shmangen infeksione të reja.
Deri më tani OBSH i është përmbajtur bindjes se virusi përhapet përmes spërklave të sekrecioneve nga goja apo hunda që çlirohen nga personi i infektuar gjatë teshtimës apo kollës, por këto spërkla janë të rënda dhe bien shpejt përdhe.
Pra nëse një person tjetër qëndron në distancë nuk është në rrezik. Dhe nëse personi i infektuar mban maskë, stërkalat nuk përhapen në ajër.
Por nëse virusi vërtetë përhapet nga ajri, siç shkruan gazeta, me rëndësi të madhe do të jenë masat për ta parandaluar përhapjen, përcjell BBC Ballkan.
The New York Times shkruan se shtimi i numrit të infeksioneve pas rihapjes së bizneseve dhe zyrave “gjithnjë e më shumë” konfirmon atë “që shumë shkencëtarë e kanë thënë prej muajsh: virusi qëndron pezull në ajër në mjedise të mbyllura duke infektuar personat në këto mjedise”.