Zyrtarët kinezë të shëndetit thanë të dielën se qarku Anxin – rreth 150 kilometra (90 milje) nga Pekini – do të “mbyllet plotësisht dhe do të monitorohet rreptësisht”, njëlloj siç u vendos Wuhan në fillim të këtij viti, pas shpërthimit të pandemisë.
“Vetëm një person nga secila familje do të lejohet të dalë një herë në ditë për të blerë gjërat e nevojshme si ushqim dhe ilaçe”, thanë ekspertët e shëndetit për parandalimin e epidemisë së qarkut gjatë një deklarate për shtyp.
Kjo masë vjen pasi 14 raste të tjera të virusit u raportuan në 24 orët e kaluara në Pekin.
Dukej sikur Kina e kishte sjellë kryesisht virusin nën kontroll, por qindra janë infektuar në Pekin, dhe raste të reja janë shfaqur në provincën fqinje Hebei, javët e fundit.
Përhapja e tanishme, u zbulua për herë të parë në mes të qershorit, dhe është gjurmuar në tregun ushqimor me shumicë Xinfadi të Pekinit, i cili furnizon pjesën më të madhe të produkteve të freskëta të qytetit, duke ngjallur shqetësime për sigurinë e zinxhirit të furnizimit me ushqime.
Gati një e treta e rasteve deri më tani, kanë qenë të lidhura me një sektor të veçantë të këtij tregu, ku shitej mish viçi dhe deleje, punëtorët e të cilit janë karantinuar për një muaj, njoftuan këtë të diel zyrtarët e qytetit.
Rastet e reja në Pekin kanë nxitur frikën e një rikthimi të virusit në Kinë, përcjell EO.
Zyrtari i qytetit të Pekinit Xu Hejian u tha gazetarëve se “situata epidemike në kryeqytet është e rëndë dhe e komplikuar”, duke paralajmëruar se qyteti kishte nevojë për të vazhduar gjurmimin e përhapjes së virusit.