Barcelona ka fituar Superkupën e Spanjës pas një fitoreje dramatike 3-2 ndaj Real Madridit në Arabinë Saudite, por përtej rezultatit, vëmendjen kryesore pas finales e mori një situatë e diskutueshme që përfshiu Kylian Mbappen.
Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët e Real Madridit morën medaljet për vendin e dytë, ndërsa futbollistët e Barcelonës formuan një roje nderi për rivalët e tyre, një gjest sportiv që u vlerësua gjerësisht. Megjithatë, kur erdhi momenti i ceremonisë për fituesit, lojtarët e Realit nuk ia kthyen të njëjtin respekt Barcelonës.
Sipas mediave katalanase, në këtë vendim ka pasur rol kyç Kylian Mbappe.Mundo Deportivoshkruan se sulmuesi francez u pa duke u kërkuar shokëve të ekipit disa herë që të mos duartrokisnin Barcelonën gjatë marrjes së medaljeve dhe trofeut, duke i udhëzuar gjithashtu të largoheshin nga zona e ceremonisë.
Gazeta katalanase e cilësoi këtë veprim si “sjellje të dobët të humbësit”, duke theksuar se situata nuk përputhej me frymën sportive që zakonisht shoqëron një El Clasico të nivelit të tillë.
Megjithatë, ka ardhur edhe një version tjetër i ngjarjes. Gazetari i njohur Alfredo Martínez raportoi se Real Madridi e ka sqaruar situatën.
“Reali e shpjegoi veprimin e Mbappes me faktin se njerëz nga federata spanjolle i sugjeruan Mbappes të largonte shokët e tij të ekipit sepse po bllokonin pozicionin nga kamerat. Kjo është arsyeja pse ai reagoi në atë mënyrë dhe pse lojtarët e Realit nuk bënë një roje nderi për Barcën”, shkroi ai.
Sipas këtij shpjegimi, reagimi i Mbappés nuk kishte të bënte me mungesë respekti ndaj Barcelonës, por ishte thjesht një veprim organizativ, çka shpjegon edhe pse lojtarët e Realit nuk formuan roje nderi për kampionët, transmeton Telegrafi.com
Pavarësisht sqarimeve, episodi ka ndezur debate në Spanjë dhe ka shtuar edhe më shumë tension në rivalitetin historik mes Barcelonës dhe Real Madridit, duke lënë një shije polemike pas finales së Superkupës.

















