Qeveria e Australisë u tha qytetarëve të saj të mërkurën të largohen nga Irani “sa më shpejt të jetë e mundur” për shkak të protestave të dhunshme dhe një situate “të paqëndrueshme” sigurie.
“Nëse jeni në Iran, duhet të largoheni sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në një njoftim të përditësuar të qeverisë për udhëtime, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ka protesta të dhunshme në të gjithë vendin që mund të përshkallëzohen më tej pa paralajmërim… situata e sigurisë është e paqëndrueshme”, shtohej në të.
Vala e protestave filloi më 28 dhjetor me një mbyllje të tregtarëve në Teheran, të shkaktuar nga zemërimi për rritjen e kostos së jetesës.
Që atëherë ato janë përhapur në zona të tjera, veçanërisht në perëndim, ku jetojnë grupet e pakicave kurde dhe Lor.
Forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 27 protestues, përfshirë pesë të mitur nën moshën 18 vjeç, tha OJQ-ja me seli në Norvegji, Iran Human Rights (IHR).
















