Ish-trajneri i Chelsea-t, Enzo Maresca, nuk pritet të mbetet gjatë pa punë pas largimit të tij nga klubi londinez, pavarësisht mënyrës së papritur të ndarjes. Kështu ka deklaruar legjenda e Premier League, Alan Shearer.
Alan Shearer vlerëson se puna e Maresca-s në Londrën Perëndimore duhet parë si e suksesshme dhe se ai do të ketë shumë oferta në të ardhmen. Madje, sipas mediave, italiani ka zhvilluar edhe bisedime me Manchester City-n për një zëvendësim të mundshëm të Pep Guardiolës.
Sipas ikonës së Premier League, Maresca ka bërë një punë shumë të mirë edhe duke qenë pranë katër vendeve të para në kampionat. “Ai largohet me reputacion të lartë. Nuk mendoj se do ta ketë të vështirë të gjejë një tjetër punë, qoftë në Angli apo jashtë saj, për shkak të asaj që ka bërë te Chelsea dhe më parë te Leicester,” shtoi Shearer.
Megjithatë, ai pranon se mbetet për t’u parë nëse Maresca do të marrë menjëherë drejtimin e një klubi të madh. “Ka pasur zëra për City-n, por gjithçka varet nga vendimi i Guardiolës, nëse dhe kur ai vendos të largohet,” tha Shearer, transmeton Top Channel.
Shearer u shpreh gjithashtu i habitur nga vendimi i drejtuesve të Chelsea-t për ta shkarkuar Maresca-n. “Ata ishin në vendin e pestë, vetëm një fitore larg katërshes së parë. Nuk jam i sigurt se çfarë më shumë mund të bënte. Chelsea, ndonjëherë, është një klub ‘i çmendur’. Kjo lidhet me pronarët dhe mënyrën se si ata zgjedhin ta drejtojnë klubin,” përfundoi ai.

















