Avokati, Arianit Koci, të enjten në një postim në profilin e tij në facebook ka njoftuar se në QKUK pesë personave u janë amputuar gishtat dhe shuplakat, si pasojë e incidenteve me mjete shpërthyese gjatë festimeve për fundvit.

Gjithashtu sipas tij, një person ka pësuar edhe lëndime të rënda. Koci bën përgjegjëse policinë e Kosovës për parandalimin e një situate të tillë.

Postimi i plotë:
Alarm serioz për shoqërinë.
Vetëm sot, në QKUK, pesë personave u janë amputuar gishtat dhe shuplakat si pasojë e përdorimit të mjeteve shpërthyese – petardave, gjatë festimeve. Një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda.
Këto aksidente janë pasojë e një rreziku që po tolerohet me vite të tëra.
Policia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për parandalimin e kësaj situate.
Kërkohet veprim i menjëhershëm: kontroll rigoroz në terren, konfiskim i mjeteve shpërthyese dhe ndalim i përdorimit të tyre gjatë festimeve.
Qytetarët ftohen që të mos përdorin mjete shpërthyese, përfshirë petardat, dhe të tregojnë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.
Shuplaka është pjesa thelbësore e trupit, për funksionimin e njeriut. Humbja e saj nënkupton invaliditet të përhershëm dhe pasoja të rënda për individin dhe për shoqërinë.
Prandaj, çdo vonesë institucionale prodhon viktima të reja.




















