Hajdutë të panjohur kanë përdorur një shpues të madh për të depërtuar në kasafortën e një dege bankare në perëndim të Gjermanisë, duke vjedhur rreth 30 milionë euro në para të gatshme dhe sende me vlerë, kanë njoftuar autoritetet policore.

Zëdhënësi i policisë e krahasoi grabitjen me filmin e famshëm të Hollivudit “Ocean’s Eleven”, duke i thënë agjencisë AFP se ishte “e realizuar në mënyrë shumë profesionale”, raporton BBC.

Ngjarja ka ndodhur në bankën e kursimeve “Sparkasse”, në qytetin Gelsenkirchen, ku hajdutët kanë hapur me forcë mbi 3.000 kuti sigurie që përmbanin para, ar dhe bizhuteri.
Policia e Gelsenkirchenit bëri të ditur se për grabitjen u njoftua pasi një alarm zjarri u aktivizua në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.
Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person dhe autorët mbeten ende në arrati. Sipas policisë, grabitësit kanë shfrytëzuar “ditët e qeta të Krishtlindjeve” për të kryer vjedhjen në ndërtesën e bankës.
Hetimet paraprake thonë se ata kanë hyrë dhe janë larguar nga banka përmes një garazhi ngjitur me objektin. Dëshmitarë kanë raportuar se gjatë natës nga e shtuna në të dielën kanë parë disa burra duke mbajtur çanta të mëdha në shkallët e garazhit.
Policia ka bërë të ditur se pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë një automjet të zi Audi RS 6 duke u larguar nga garazhi në rrugën De-La-Chevallerie-Strasse, në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Klientëve të prekur u është kërkuar të kontaktojnë bankën “Sparkasse”, e cila ka hapur një linjë telefonike të posaçme.
“Sparkasse” njoftoi se rreth 95 për qind e kutive të sigurisë së klientëve janë hapur me forcë nga hajdutët, ndaj gjasat që klientët të jenë prekur janë “shumë të larta”. Banka shtoi se përmbajtja e çdo kutie është e siguruar deri në 10.300 euro dhe u bëri thirrje klientëve të verifikojnë nëse kanë mbulim shtesë përmes sigurimit të banesës.




















