Qeveria britanike ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin se Evropa po kërkon luftë me Rusinë, duke i quajtur kërcënimet e tij të pakuptimta. Putini akuzoi vendet evropiane se mbështesin vazhdimin e luftës, duke theksuar se nëse Evropa dëshiron të luftojë, ata janë gati.
Një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer u përgjigj se deklaratat e Putinit përbënin retorikë të rrezikshme dhe të gabuar. Ai theksoi se shtetet evropiane janë të bashkuara në mbështetjen e të drejtës së Ukrainës për vetëmbrojtje bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe se NATO është e gatshme t’i përgjigjet çdo kërcënimi me unitet dhe forcë.
Diskutimi në Mbretërinë e Bashkuar përkoi me një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel , që synonte mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës pas dështimit të kontakteve Uashington-Moskë për të shënuar përparim.
Kur u pyet nëse Mbretëria e Bashkuar ishte gati për luftë, Starmer u përgjigj se të gjithë e dinë se Putini është agresori dhe se ai nuk dëshiron të ulet në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje.
Ai theksoi se anëtarët e NATO-s duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion në çdo mënyrë të mundshme, duke përfshirë mbështetjen e Ukrainës me burime.




















