Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë zyrtarëve policorë, lidhur me dyshimet për keqtrajtim në Stacionin Policor të Podujevës.
Gjashtë prej tyre shërbenin në stacionin policor të Podujevës, ndërsa një zyrtar tjetër është nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës.
Hetimet e IPK-së filluan pas dyshimeve se disa zyrtarë policorë kishin keqtrajtuar dy qytetarë, njëri prej të cilëve i mitur, gjatë qëndrimit në ndalim.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë zgjeruar hetimet duke përfshirë shtatë zyrtarë të tjerë për tejkalim të autorizimeve gjatë përdorimit të forcës.
Aktualisht, hetimet ndaj gjashtë zyrtarëve policorë po zhvillohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, ndërsa ndaj një togeri policor dyshohet për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, shkruan Telegrafi.com
Në total, deri në këtë fazë janë identifikuar 11 zyrtarë të dyshuar lidhur me rastin.
IPK bën të ditur se për detaje të mëtejshme, qytetarët mund t’i referohen komunikatës së datës 10 nëntor 2025 mbi këtë çështje.


















