Shkruan: Blerim Valla
Mitingu i Poezisë është një ngjarje e rëndësishme kulturore (letrare) që mbahet në qytetin e Gjakovës dhe i cili tashmë ka hyrë edhe në analet historike si festivali letrar shqiptarë që ka mbijetuar më së shumti – qe 61 vite, e mbase do të vazhdoj siç e meriton edhe në vitet që do vijnë!

Kjo traditë e pasur dhe e njohur ka nisur në qytetin e Gjakovës që nga viti 1964, për të vazhduar deri më tani, duke promovuar letërsinë – poezinë e mirëfilltë dhe duke shënuar një nga manifestimet më të rëndësishme në kulturën dhe letërsinë shqiptare.

Përkundër sfidave e problemeve të ndryshme qoftë politike (të para luftës nga regjimi serb meqë shihej dhe ishte si rezistencë kulturore) por edhe arsyeve të mungesës së financimit, në këto vitet e fundit nga institucionet tona kulturore që duhet ta përkrahin si e sa duhet mbarëvajtjen e tij! Kështu ishte edhe këtë vit, këtë fundjavë, kur u mbajt dhe përfundoi, ndonëse i reduktuar sa i përket akviteteve dhe me mungesë të theksuar të poetëve të njohur vendor dhe të huaj, e që këtë vit u mbajtë në Bibliotekën “Ibrahim Rugova” të Gjakovës!

Në programin e sivjetëm të Mitingut të Poezisë fillimisht ashtu siç ishte paraparë u mbajt Tribuna tradicionale Letrare me temën “Letërsia, pasqyrim i kohës moderne” ku me kumtesën e saj shumë interesante dhe tejet në nivel u paraqit Dr. Migena Arllati.

Më pas në kuadër të mitingu të sivjetëm, u bë promovimi i romanit më të ri “Udhëtimi në kohë” i shkrimtarit e historianit të njohur Jusuf Buxhovi. Për vlerat e mirëfilta estetike të romanit në fjalë, për stilin e veçant të të shkruarit të Buxhovit (një përzierje fenomenale mes letërsisë dhe fakteve historike), dhe për figurat e fuqishme letrare të këtij romani të Buxhovit, referuan me kompetencë shkrimtarët Agim Byci dhe Muharrem Kurti.

Pas dy referuesve fjalën e morri autori i romanit të promovuar Jusuf Buxhovi, i cili falenderoi referuesit, klubin letrar të Gjakovës “Gjon Nikolë Kazazi” për promovimin e librit të tij më të ri në kuadër të mitingut të sivjetëm dhe gjithë ata të pranishëm si dhe anëtarët e klubit e dashamirët e poezisë që po e mbajnë gjallë mitingun e poezisë në Gjakovë. Dhe si aktivitet i fundit, më pas u mbajt ora poetike, akt tradicional ky i mitingut të poezisë që nga themelimi, këtu e 61 vite më parë, e ku poezitë e tyre i lexuan shumë poetë vendorë.
Për shkak të mungesës së përkrahjes financiare, (për të cilat arsye opinioni artdashës tashmë veç është i njoftuar), janë ndarë vetëm dy çmime letrare e jo edhe ato tri të tjerë tradicional si : “Çmimi Din Mehmeti” për veprën më të mirë poetike të vitit, pastaj “Çmimi Teki Dërvishi” për veprën më të mirë të vitit në prozë, as “Çmimi Ndërkombëtar Nëna Terezë” që i ndahet poetit më të mirë të huaj që merr pjesë në këtë manifestim letrar! Këtë vit çmimi kryesor i orës poetike të mitingut “Çmimi Ali Podrimja” për poezinë më të mirë, juria e klubit letrar “Gj. N. Kazazi” ja ndau poezisë “Shtëpia në vendlindje” të poetit Eduart Frrokaj, e i cili për arsye të panjohura nuk ishte i pranishëm në aktin e marrjes së çmimit! Kurse “Çmimi Yllka Domi” për poeteshën më të mirë debutante në miting, juria e klubit letrar të Gjakovës, për herë të parë që nga themelimi i këtij çmimi, këtë vit ju ndau dy poeteshave : Nita Bardhi – Bokshi për poezinë “Lutje” dhe Hyrë Fazliu për poezinë “Kur do t’plakem”!

Përndryshe “Çmimi Letrar Yllka Domi” u themelua pas luftës me nismën e poetëve gjakovar Blerim Valla, Shkëndije Hoda dhe Agim Bycit dhe deri tani me këtë çmim janë nderur shumë poetesha nga mbarë hapësira shqiptare./InLajmi/



















