Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj mënyrës se si Vetëvendosje po tenton të përdorë institucionet e Republikës për qëllime politike. Në një komunikatë për media, LDK e ka quajtur këtë veprim “të papërgjegjshëm” dhe ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e mëngjesit të Kuvendit.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë. Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë,” thuhet në komunikatë.
LDK ka theksuar se agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin çështje serioze si marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore, dhe se ata nuk do të marrin pjesë “në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”.
Partia ka njoftuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00 për formimin e Qeverisë, duke respektuar “bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë.”, percjell Telegrafi.com.
“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, thuhet në reagim.




















