Një person ka njoftuar se fëmija i tij (rreth një vit e gjysmë), pasi e kishte dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për shkak se kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore ka ndërruar jetë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 08:50 në rrugën “Nënë Tereza”, në Pejë.
Tutje bëhet e ditur se sipas ankuesit, ai edhe me datën 05.11.2025 fëmijën e kishte dërguar për trajtim në spitalin e njëjtë dhe pas tretmanit ishte liruar në shtëpi.
Ndërkaq, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.
Ndryshe, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për vdekjen e një fëmije 1.5-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar.
Në komunikatën e spitalit thuhet se fëmija ishte pranuar fillimisht më 5 nëntor, rreth orës 22:15, me ankesa për të vjella. Pas trajtimit të ofruar, gjendja e tij ishte stabilizuar, ndaj ishte liruar nga spitali, me rekomandimin për monitorim nga afër dhe kthim për kontroll në rast përkeqësimi, përcjell Telegrafi.
Sipas njoftimit, në mëngjesin e datës 6 nëntor, rreth orës 07:00, fëmija është sjellë sërish në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme në frymëmarrje. Ai është trajtuar menjëherë nga ekipi mjekësor me oksigjen dhe terapi mbështetëse, ndërsa ekipi i anesteziologëve ka kryer intubimin për shkak të përkeqësimit të gjendjes, raporton Telegrafi.com
“Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, thuhet në njoftim.

















