Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka folur para takimit të sotëm që pritet të zhvillohet me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale.
“Ne do të marrim pjesë në këtë takim. Nuk dimë asgjë, dimë vetëm se do të bisedohet për pagën minimale. A do të jenë akterët kryesorë, nuk e di,” ka thënë Azemi.
Ai ka theksuar se qëndrimi i sindikatës, i cili është mbajtur edhe ndaj Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë që nga marsi i këtij viti, është se paga minimale e punëtorëve në sektorin privat duhet të jetë 600 euro.
“Qeveria mund të marrë vendim për 500 euro, ne e vlerësojmë edhe këtë lëvizje, por ne ia lëmë vetit dyert hapur sepse normalisht që të gjitha ato kompani që nuk përkrahin këtë pagë kemi të drejtën e grevave,” ka shtuar Azemi.
Sipas tij, një analizë e bazuar në shportën e një familjeje katër anëtarëshe tregon se një anëtar i familjes ka nevojë për rreth 2.80 euro brenda ditës për ushqim, transport, cigare, shkollim etj.
“Sa mund të kryej punë një person me 2.80 euro brenda ditës, mund ta vlerësojë secili për vete,” ka thënë Azemi.
Ndryshe, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në një takim të rëndësishëm për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale në vend, raporton Telegrafi.com
Telegrafi ka siguruar emailin që u është dërguar nga Ministria e Financave, ku thuhet se takimi do të zhvillohet sot në orën 10:00.

















