FBI ka shkarkuar një grup prej 15 deri në 20 agjentësh, të cilët ishin fotografuar duke u gjunjëzuar gjatë një proteste për drejtësi racore në vitin 2020, pas vrasjes së George Floyd.
Sipas mediave amerikane, në letrat e largimit nga detyra është cituar “mungesa e gjykimit të duhur” si arsye për shkarkimin e tyre.
Agjentët në fjalë kishin zgjedhur të gjunjëzoheshin bashkë me protestuesit, në një gjest që në atë kohë u interpretua si solidaritet me kërkesat për drejtësi dhe si përpjekje për të ulur tensionet.
George Floyd, një afro-amerikan, u vra në maj të vitit 2020 nga një polic i bardhë në Minneapolis, i cili i mbajti gjurin mbi qafë për më shumë se nëntë minuta.
Pamjet e publikuara shkaktuan një valë protestash dhe reagimesh të forta në të gjithë SHBA-në dhe më gjerë.
Shoqata e Agjentëve të FBI-së ka reaguar ndaj vendimit, duke e quajtur shkarkimin një shkelje të të drejtave të punonjësve.
Ndërkohë, FBI nuk ka pranuar të komentojë për rastin, sipas raportimeve të BBC.
Shkarkimet ndodhin në një moment kur administrata Trump ka theksuar qëllimin për të “spastruar” institucionet federale nga, siç i quan, politikat “të majta” apo “woke”.
Në atë periudhë, shumë figura të së djathtës politike e kishin dënuar gjestin e gjunjëzimit, ndërsa mbështetësit e tij e kishin konsideruar një akt për të qetësuar situatën, jo një shenjë dakordësie me mesazhin e protestuesve.
Gjesti i gjunjëzimit ishte kthyer në simbol të protestës kundër racizmit dhe dhunës policore në Shtetet e Bashkuara.