Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku që u vra nga terroristët serb më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Krasniqi ka thënë se Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Kosovës.
“Dy vite më parë, në Banjskë, ra heroikisht në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë. Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut. Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës. Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.