Njohësi i çështjeve të punës së Kuvendit, Albert Krasniqi ka thënë se procedurat për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo- shumicë duhet të përsëritet.
Ai ka thënë se zgjedhja e tyre duhet të bëhet në pako.
“Procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët”, ka shkruar ai në Facebook.
Në seancën e sotme votimi për nënkryetar të Kuvendit nga komunitetet jo – shumicë është bërë ndaras.
Nga komuniteti joserb janë zgjedhur tre nënkryetar që këtë post do ta mbajnë me rotacion.
Ndërsa, zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb ka dështuar, pasi i propozuari i Listës Serbe, Sllavko Simiq në tri tentime nuk mori votat e mjaftueshme.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Dimal Basha kërkoi nga Lista Serbe emër tjetër, por që nuk pati propozim.
E Basha vendosi votim me short.
Por, as ky veprim sipas Krasniqit nuk është dashur të bëhet. Ai ka thënë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse subjekti politik nuk propozon kandidat.
“Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike. Aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet. Gjithashtu, skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti”, ka shkruar Krasniqi.