Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se sot do të dalë personalisht për të patrulluar rrugët e kryeqytetit amerikan, Uashington D.C., si një shenjë mbështetjeje për forcat e rendit dhe si reagim ndaj situatës alarmante të sigurisë në qytet.
Gjatë një interviste të drejtpërdrejtë në një emision radiofonik, Trump deklaroi se do ta mbajë të fshehtë vendndodhjen dhe orarin e daljes së tij, por gjithsesi konfirmoi se do të jetë fizikisht i pranishëm në terren, së bashku me policinë dhe forcat ushtarake, raporton cnn.
“Dhe unë do të dal sonte. Po e mbaj sekret. Por do të dal. Ti je i vetmi që e di. Ti dhe dëgjuesit e tu të shumtë. Ke një emision të shkëlqyer. Nga rruga, shumë të suksesshëm, nëse nuk e ke dëgjuar. Por mendoj se sonte do të dal me policinë dhe, sigurisht, me ushtrinë. Kështu që do ta kryejmë punën. Garda Kombëtare është madhështore. Kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh 79-vjeçari.
Ai e lavdëroi Gardën Kombëtare për reagimin e tyre profesional dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së rendit dhe sigurisë, duke e cilësuar atë si “të jashtëzakonshme” në detyrat e saj.
Pak më herët gjatë ditës, Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Uashington D.C., pas rritjes së ndjeshme të kriminalitetit në qytet, i cili kohët e fundit është bërë një nga shqetësimet më të mëdha për banorët dhe autoritetet lokale. Si pjesë e masave të marra, ai urdhëroi dislokimin e 800 trupave të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në kontrollin e situatës në terren dhe për të siguruar rendin publik.
Ndërkohë, autoritetet lokale në Uashington nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me praninë e Trumpit në rrugë dhe bashkëpunimin e tij të drejtpërdrejtë me forcat e sigurisë. Megjithatë, masa të shtuara sigurie pritet të jenë në fuqi gjatë natës, si për të garantuar rendin publik, ashtu edhe për të mbrojtur vetë presidentin.