Vetëm një në katër turistë që hyri në Shqipëri në qershor fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit.
Kjo të paktën sipas të dhënave zyrtare.
Nga mbi 1.3 milionë vizitorë të huaj, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm 369 mijë e 683 prej tyre u akomoduan për të paktën një natë.
“Kjo tregon vërtetë situatën dhe siç e kemi thënë më shumë ne jemi vend transit. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e shtimit të numrit të strukturave akomoduese që nuk janë të përfshira në sistemin e integruar të turizmit, por gjithsesi mund të themi që shumë pak të huaj flenë në Shqipëri”, thotë për mikrofonin e A2 CNN, Zak Topuzi.
“Shqipëria ka 107 mijë shterët të regjistruar. Këtu përfshihen kotelet, bujtinat dhe apartamente. Kemi rreth 30 mijë apartamente me rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit. Ndaj kemi këto shifra. Ndoshta do të shohim efekte më pas si pasojë e ndryshimeve të ligjit për turizmin”, thotë Topuzi.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gjatë qershorit, pjesa më e madhe e turistëve që fjetën në vend, pak më shumë se 336 mijë u akomoduan në hotele. Ndërkohë nga apartamentet me qira ditore pati vetëm 27 mijë 227 të tillë.
Të dhënat nga Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruar te tatimet dhe paguajnë taksat dhe tarifat.