Gjesti ka trazuar rrjetin, duke u shprehur se po përballet me padrejtësi nga distributori i tij i mëparshëm, çka po e pengon të publikojë projekte të reja muzikore. Ai u shpreh se “nuk do të dorëzohet kurrë dhe se derisa të zgjidhë këtë çështje, nuk mund të publikojë asgjë”.
Erkand Shabani, drejtues i platformës “Onima”, ka bërë një reagim zyrtar në rrjetet sociale, ku sipas tij “janë duke u shpërndarë lajme të rreme për Onima-n nga Gjesti dhe menaxhimi i ri”. Ai shprehu keqardhje të thellë dhe sqaroi se burimi i mosmarrëveshjes së platformës dhe Gjestit lidhet me monetizimin e përmbajtjeve artistike.
“Onima shpreh keqardhje të thellë lidhur me fushatën e shpërndarjes së lajmeve të rreme në adresën tonë nga Gjesti dhe (ekipi) menaxhues i tij”, u shpreh fillimisht drejtuesi i Onima-s. Në këtë rrethanë, ne jemi të detyruar të sqarojmë se burimi i mosmarrëveshjes mes Onima-s dhe Gjestit është synimi i këtij të fundit për t’i liruar nga kontrata për distribuim dhe monetizim të përmbajtjeve artisitke të tij”, u shpreh ai.
Erkandi theksoi se Gjesti dhe platforma e re që e ka në menaxhim, ka kërkuar një shkëputje të kontratës, sipas interpretimit të tyre dhe sipas Onima-s, kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e ligjshme, percjell Revista Anabel.
“Kjo është një çështje, objekti i së cilës rregullohet hollësisht në kontratën e nënshkruar nga vetë Gjesti, me vullnet të lirë. Në vend që të adresojë shqetësimin e tij nëpërmjet instrumenteve ligjore, Gjesti dhe ekipi menaxhues i tij ka bërë kërkesë për shkëputje të kontratës, sipas interpretimit të tij të njëanshëm, i cili nuk është në përputhje me marrëveshjen ligjërisht të vlefshme me Onima”.




















