Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë tejet shqetësuese, me 30 vatra aktive në të gjithë vendin dhe një viktimë të raportuar si pasojë e flakëve në zonën e Skënderbegasit në Gramsh.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se janë identifikuar gjithsej 37 vatra zjarri, nga të cilat 30 mbeten ende aktive.
Zjarri që nisi në fshatin Kullollas, në Njësinë Administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh është përhapur me shpejtësi drejt fshatit Skënderbegas, duke rrezikuar banesat.
Disa banorë janë evakuuar me vështirësi për shkak të tymit të dendur. Një helikopter është angazhuar për ndërhyrje ajrore, ndërsa konfirmohet një viktimë si pasojë e zjarrit.
Në qarkun e Vlorës, zjarri në fshatin Krane të bashkisë Finiq është përhapur në fshatin Pecë, shumë pranë Parkut Natyror “Syri i Kaltër”.
Janë angazhuar forca zjarrfikëse nga katër bashki, trupa të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avionë të ardhur nga shtete partnere si Greqia, Çekia dhe Sllovakia.
Situata ka dalë jashtë kontrollit në bashkinë Poliçan, në zonën e Terpanit. Banorët e fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe ata brenda Rezervatit të “Ballollit”, janë urdhëruar të largohen menjëherë nga banesat. Zjarri kërcënon përhapje të pakontrolluar.
Zjarre të shumta raportohen edhe në Tiranë, Fier, Kukës, Gjirokastër, Shkodër, Korçë dhe Durrës.
Ndërkohë, vatra të reja janë aktivizuar në zona të tjera si Ferraj e Zall-Herr në Tiranë, Gjonc-Selisht në Fier, Gërmenj në Kolonjë dhe Maja e Zezë në Kukës. Në shumë prej këtyre zonave terreni i vështirë dhe temperaturat e larta po vështirësojnë ndërhyrjen.
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se aktualisht në operacione janë angazhuar: 2 helikopterë “Black Hawk” nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 1 helikopter “Black Hawk” nga Çekia, 1 helikopter “Black Hawk” nga Sllovakia dhe 1 helikopter “Black Hawk” nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, përcjell Telegrafi.com
Në tokë, qindra trupa të FA-së, zjarrfikës nga të gjitha bashkitë, forca policore dhe vullnetarë janë në terren duke punuar për izolimin e flakëve dhe evakuimin e banorëve kur është e nevojshme.