Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ndaj të dyshuarit për vrasjen e djeshme në qendër të Gjilanit, Mefail Shkodra, aktualisht nuk ka asnjë lëndë aktive në këtë gjykatë.
Sipas Gjykatës, Mefail Shkodra më herët ka pasur tre lëndë penale të përfunduara me aktgjykim dënues. Në vitin 2018, ai është shpallur fajtor për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të armëve, në vitin 2014 është dënuar për vjedhje të shërbimeve komunale, ndërsa në vitin 2011 për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Gjykata po ashtu ka bërë të ditur se dy të dyshuarit e tjerë në rast, djemtë e Mefail Shkodrës, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm dhe nuk kanë raste të papërfunduara.
Njoftimi i Gjykatës:
Në lidhje me rastin e vrasjes së djeshme të ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit, Gjykata Themelore në Gjilan njofton opinionin publik dhe mediat, se ndaj të personit të dyshuar Mefail (Fehmi) Shkodra nuk ka lëndë aktive në këtë Gjykatë.
Ndërkohë, sa i përket dosjes së tij penale, ne bazë të evidencës ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Gjilan, personi Mefail Shkodra ka pasur 3 (tre) lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues edh atë:
Në vitin 2018 (PKR.nr.198/2018), është akuzuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është gjykuar duke shpallur fajtor të njëjtin dhe është dënuar;
Në vitin 2014 (P.nr.610/2014) është akuzuar për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale nga neni 320 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, i cili për këtë rast është gjykuar dhe dënuar dhe
Në vitin 2011 (P.nr.343/2011), është akuzuar për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm neni 356 i KPRK-së, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpall fajtor nga kjo Gjykatë.
Sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale të Gjykatës për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotëfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.