Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka nisur zbatimi për sistemimin e hapësirave përgjatë rrugëve kombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se po përcaktohet një kufi tërheqjeje për subjektet që ndodhen pranë akseve kryesore, ndërsa thekson se asnjë objekt apo material i vendosur jashtë kritereve nuk do të tolerohet.
“Ka nisur edhe çlirimi i buzërrugëve kombëtare, duke përcaktuar një kufi tërheqjeje të subjekteve, të cilat njëkohësisht duhet të sigurohen se asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur.”-shkruan Rama.
Kjo nismë është pjesë e programit të zgjeruar “Rilindja Urbane 2.0”, që përveç pastrimit dhe sistemimit të hapësirave, parashikon edhe gjelbërimin e tyre në bashkëpunim me vetë subjektet private.
“Sipas kritereve të programit të ri të Rilindja Urbane 2.0, do të kontribuojnë me një sasi gjelbërimi, bashkarisht me qeverinë.”– shkruan më tej kreu i qeverisë.
Rama shton se qëllimi është që hapësirat përreth rrugëve kombëtare të mos trajtohen më si zona të shpërfillura, shkruan Euronews Albania.
“Duke e trajtuar hapësirën buzë e përballë akseve kombëtare si pjesë të shtëpisë sonë të përbashkët dhe jo si tokë të askujt.”-përfundon Rama.

















