Në një botë ku tensionet gjeopolitike po përshkallëzohen dhe kërcënimi bërthamor po rikthehet si realitet i frikshëm, zërat e atyre që e kanë përjetuar tmerrin e luftës bërthamore po bëhen më të rëndësishëm se kurrë më parë.
– Advertisement –
Terumi Tanaka ishte vetëm 13 vjeç kur më 9 gusht 1945, Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë atomike mbi Nagasaki, në Japoni.
Shtëpia e tij ndodhej vetëm tre kilometra nga pika zero. Përmes një mrekullie ai mbijetoi, por pesë anëtarë të familjes së tij humbën jetën disa nga djegiet, të tjerë nga rrezatimi. Tani, pothuajse tetë dekada më vonë, Tanaka është një nga zërat më të fuqishëm në betejën kundër armëve bërthamore.
Ai e ndau përvojën e tij rrëqethëse në ceremoninë e Çmimit Nobel për Paqen, duke folur në emër të “Nihon Hidankyo” konfederatës japoneze të të mbijetuarve nga bombat A dhe H. Fjalimi i tij ishte një thirrje e qartë për ndërgjegjësim dhe veprim:
“Nëse njerëzit do të kuptonin se çfarë ndodhi atë ditë në qytetin tim, nuk do të flisnin më për armë bërthamore si zgjidhje.”
Rrëfimet e mbijetuarve si Tanaka janë dëshmi të gjalla të një historie që po rrezikon të harrohet. Yoshie Oka, 14 vjeç në atë kohë, përshkruan shpërthimin në Hiroshima si një “flakë e bardhë” që përpinte gjithçka. Setsuko Thurlow kujton sesi “mijëra studentë u avulluan pa lënë gjurmë”. Ndërsa Sumiteru Taniguchi, që ishte 16 vjeç, mbijetoi me djegie të tmerrshme, duke kaluar katër vite në spital për t’u rikuperuar.
Dëmet e shkaktuara nuk ishin vetëm të menjëhershme. Mijëra fëmijë lindën me deformime, të tjerë vdiqën nga efektet afatgjata të rrezatimit. Një tjetër i mbijetuar, Toru Ikemoto, vdiq nga pasojat e rrezatimit në moshën 11-vjeçare.
Sot, kërcënimi bërthamor është më i pranishëm se kurrë më parë në diskursin politik. Nëndetëse të armatosura me koka bërthamore patrullojnë në Mesdhe e në Detin e Zi, ndërsa fuqitë e mëdha përmendin hapur mundësinë e përdorimit të tyre.
Tanaka paralajmëron se “nuk ekziston mbrojtje ndaj një arme bërthamore – parandalimi është vetëm një strategji frikësimi”. Ai i bën thirrje botës që t’i bashkohet Traktatit të Kombeve të Bashkuara për Ndalimin e Armëve Bërthamore – një traktat që deri tani është ratifikuar nga më pak se gjysma e vendeve në botë.
Mesazhi i tij është i qartë: nëse nuk veprojmë tani, brezi tjetër mund të përballet me një luftë bërthamore të tretë një skenar që mund të jetë fundi i njerëzimit. Siç e tha dikur Presidenti amerikan John F. Kennedy:
“Armët e luftës duhet të shfuqizohen përpara se të na shfuqizojnë ne.”