Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka thirrur punëtorët e transmetuesit publik që të mërkurën, me fillim nga ora 11:00, të dalin në protestë para Kuvendit të Kosovës.
Kjo protestë është thirrur për shkak të mos alokimit të buxhetit për RTK-në dhe mospagesës së pagave për 700 punonjës.
“Nesër, më 06 gusht 2025, fillon protesta e përgjithshme para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos alokimit të buxhetit për RTK-në dhe mospagesës së pagave për 700 punonjës. Ora: 11:00. Vendi: Para Kuvendit të Kosovës”, thuhet në thirrjen e SPERTK.
Më tej, Sindikata kërkoi që kjo protestë të jetë e përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjithë punonjësve të RTK-së, pa përjashtim.
“Qëllimi i vetëm i kësaj proteste është mbrojtja e RTK-së, dinjiteti i punëtorëve tanë dhe sigurimi i pagave të merituara. Të bashkuar dhe të vendosur – deri në realizimin e kërkesave tona të drejta”, u tha në thirrjen e SPERTK për protestë.