Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj F.K. dhe N.S. për veprën penale “Kanosja”. Rasti ka të bëjë me Faton Klinakun, i cili kishte deklaruar se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, sesa do ta lëshonte Kosovën.
Lidhur me aktakuzën e ngritur nga Specialja, ka reaguar Faton Klinaku, transmeton Telegrafi.
Ai në një reagim në Facebook, ka shkruar se për aktakuzën e ngritur është informuar vetëm nga mediat, duke shtuar se mezi pret një ballafaqim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K, të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, shkroi Klinaku.
Ndryshe, sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin Albin Kurti në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social “Facebook”, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas reagimeve të opinionit publik lidhur me kërcënimin e përmendur, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. ka përsëritur një postim me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj të dëmtuarit, ku thuhet: “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin A.K përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, për shkak të funksionit të tij, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K.