Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë mbajti sot një konferencë për media, ku asamblistët Egzon Azemi dhe Gëzim Sveçla kritikuan ashpër një vendim të Gjykatës Komerciale që, sipas tyre, rrezikon seriozisht pronën publike të qytetarëve të Prishtinës,
Azemi deklaroi se 17 mijë metra katrorë në vlerë rreth 200 milionë euro, pronë komunale po i jepen një kompanie përmes një procesi të dyshimtë koncesionimi, i cili ka nisur vetëm një ditë pas themelimit të saj.
Sipas tij, ky është një rast i qartë i tjetërsimit të pronës publike dhe duhet të kishte pasoja penale.
“Jemi për një projekt jashtëzakonisht të dëmshëm dhe një lajm të keq për qytetarët e Prishtinës. Gjykata Komerciale ka vendosur që projekti i dëmshëm i Ndërmarrjes Publike Banesore, ku prona e qytetarëve të Prishtinës, pra 17 mijë metra katrorë pronë e komunës së Prishtinës, me vendimin e kësaj gjykate po rrezikohet seriozisht. Sipas këtij vendimi, kompanitë dhe koncesionimi, ku në mënyrë të dyshimtë e fitoi të drejtën për pronë publike, iu dha përsëri e drejta nga ky vendim për të rinisur këtë projekt të dëmshëm dhe për të grabitur pronën qytetarëve. 17 mijë metra katrorë u dha për një koncesion, i cili fitoi vetëm pas një dite që u themelua. Gjithçka është e qartë në këtë pikë. Vetëm kjo çështje do të mjaftonte që sot dikush të ishte në burg dhe të dënohej për tjetërsimin e pronës dhe përfitime në pronën e kryeqytetit. Po shohim se në sistemin e drejtësisë nuk ka drejtësi. Vlera e projektit është rreth 200 milionë euro. Po flasim për një pronë në zemër të kryeqytetit”, tha Azemi.
Ndërsa, asamblisti tjetër i Vetëvendosjes , Gëzim Sveçla, e quajti marrëveshjen të jashtëligjshme dhe theksoi se VV-ja që nga fillimi ka kundërshtuar këtë projekt, duke kërkuar anulimin e kontratës dhe kthimin e pronës në interes të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Kronologjia e ngjarjes është mjaft e dyshimtë dhe për këtë gjë kemi folur disa herë. VV-ja prej fillimit të projektit ka qenë kundër mënyrës se si po ndodh kjo. Jemi fuqishëm kundër përfitimit të grupeve të caktuara në dëm të interesit publik. Marrëveshja është e jashtëligjshme, është e paimagjinueshme një marrëveshje e tillë. Vazhdojmë të shpresojmë që Gjykata Komerciale do ta kthejë këtë çështje dhe do ta anulojë këtë kontratë që i bën dëm gjithë qytetit,” shtoi ai.