Forcat e Armatosura të Kosovës kanë gjetur trupin e pajetë të Rrahim Latifit, personit që u shpall i zhdukur tash e dy ditë pasi kërceu nga ura e Ujmanit.
Klankosova.tv raportoi pak më parë se trupi i të ndjerit tashmë është gjetur.
FSK-ja tha se angazhimi i tyre në gjetjen e trupit të pajetë erdhi pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së.
Kështu, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur.
Me pranimin e urdhrit, në njoftim thuhet se ekipet e FSK-së kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qendror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur.
“Falë intensitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, përcjell Klan Kosova.
“Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, u tha në njoftimin e FSK-së.