Mbrëmjen që lamë pas, nën qiellin plot yje të qytetit të Prishtinës, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, u ngjitën në skenë për ta nderuar figurën e ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, artistë si Gala El Hadidi, Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, A R B Ë R E S H Ë, të shoqëruar nga Gent Rushi Group.
Kjo mbrëmje, siç edhe motoja e këtij edicioni të festivalit “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, solli emocione të veçanta tek publiku i cili u bashkua në mënyre të qenësishme me artistët gjatë perfomancës së tyre.
Mezzosopranoja egjiptiane Gala El Hadidi, këndoi për herë të parë në gjuhën shqipe dhe solli në formën më mbresëlënëse kryeveprat e bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha. Madhështi kësaj mbrëmjeje i dha zëri dhe stili i veçantë i Edona Reshitajt, gërshetuar me grupin e instrumentistëve të Gent Rushi Group. Nostalgji përmes zërit të tij, zgjoi tek publiku edhe zëri i Adhurim Grezdës, i cili solli kryeveprat e muzikës shqipe si “Perëndeshë e bukurisë” e “O moj bukuroshe”. Një frymë të re përmes këngës shqipe solli edhe këngëtarja A R B Ë R E S H Ë, e cila përmes prezencës së fuqishme skenike, gërshetoi tingujt tradicionalë me ata modern.
Mbrëmja e Nexhmije Pagarushës, sot me 24 korrik ju mirëpret në Pejë dhe nesër me 25 korrik ju mirëpret në Mitrovicë.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, filloi mbrëmë dhe do të vazhdojë me mbrëmjet kushtuar muzikës klasike e operistike deri me datën 2 gusht, ku do të finalizohet me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.