Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj u rikthye në Kuvend pasi mungoi të hënën.
Ai nuk iu përgjigj gazetarëve para vazhdimit të seancës sot nëse është marrë vesh me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Limaj tha se do të flasë pasi – siç pritet – të ndërpritet seanca konstituive.
“Kur t’kthehem. Dy minuta. Si t’vi, kthehem, flasim”, th ai.
Kurti, ndërkaq, gazetarëve nuk ua tha asnjë fjalë ndërsa po hynte në Kuvend.
Ata u takuan të shtunën në një restorant në qendër të Prishtinës. Kurti dhe Limaj po qëndrojnë në kontakt prej muajsh dhe janë takuar disa herë, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.
Zgjidhja e ngërçit duket se është në duart e liderit të partisë me më së shumti deputetë në Kuvend dhe atij të partisë me më së paku, të cilët janë shprehur optimistë për arritjen e një marrëveshjeje.
Kurti tha të hënën se ia ka bërë Limajt një ofertë, për detajet e së cilës nuk pranoi të fliste.
“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai të hënën në një konferencë për media.
Ndërsa Limaj po e shqyrton ofertën “konkrete” të Kurtit, më herët ka bërë të ditura dy kërkesat konkrete të tij: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.