Pas kërkesës së Presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngërçin institucional të krijuar në Kuvend kanë folur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK).
Deputetja e këtij subjekti politik, Time Kadrijaj, tha për “Gazeta Blic” se si duket tashmë edhe Presidentja Osmani e ka marr seriozisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuse të dërguar nga AAK-ja.
Ajo tha se kryetari i VV-së gjatë kësaj kohe ka ‘fjetur’ dhe vetëm javën e fundit po shihet një aktivizim i tij në drejtim të zgjidhjes së kësaj situate.
“Siç po duket tash edhe Presidentja e ka marr seriozisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuse të dërguar nga AAK-ja. Kuptohet se afati kushtetues për konstituim të Kuvendit përfundon me 26 korrik e pasojat juridike nuk dihen çka pas 30 diteve. Kurti ka ‘fjete’ e veç tash javën e fundit po e shofim një aktivizim në këtë drejtim edhe pse ne dhe PDK i kemi dhënë përkrahje për një kandidat konsensual” tha Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së, Kadrijaj, tha se Gjykata Kushtetuese duhet t’a qartësojë se a i humbet e drejta partisë së parë në rast të mos sigurimit të votave të nevojshme.
“Gjykata duhet t’a qartësoj a i humbet e drejta partisë se parë ne rast të mos sigurimit të votave.Çështja e pezullimit ndoshta është kërkuar për mos-shkelje të vendimit te Gjykatës” tha Kadrijaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e një konflikti kompetencash kushtetuese që sipas saj është krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Përmes një konference për media Osmani theksoi se ka vepruar në përmbushje të detyrës së saj kushtetuese për të mbrojtur funksionimin demokratik të institucioneve të vendit.
“Sot, në përmbushje të përgjegjësisë time kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,” deklaroi Osmani