Një aeroplan që fluturonte nga Omaha për në Detroit u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një pasagjer shqiptar u përpoq të hapte njërën nga dyert.
Fluturimi 3612 i Delta Connection, i operuar nga SkyWest Airlines, u detyrua të devijonte në Aeroportin Lindor të Ajovës në Cedar Rapids, Ajova, sipas CNN.
Mario Nikprelaj, 23 vjeç, nga Nebraska, siç u identifikua, dyshohet se ishte grindur më parë me një asistente fluturimi dhe ishte përpjekur të hapte një derë daljeje emergjence.
“Më 17 korrik 2025, afërsisht në orën 6:13 pasdite, Policia e Cedar Rapids u dërgua në Aeroportin Lindor të Ajovës pas një shqetësimi gjatë fluturimit nga një pasagjer në një fluturim SkyWest nga Omaha në Detroit”, tha Departamenti i Policisë së Cedar Rapids në Facebook.
Nikprelaj u dërgua në Qendrën Korrektuese të Qarkut Linn dhe u akuzua për sjellje të çrregullt, sulm, posedim të barnave me recetë dhe ngacmim të shkallës së parë, me akuza të tjera që nuk përjashtohen, transmeton T.Ch
Aeroplani përfundimisht u ul në destinacionin e tij në Detroit, gati një orë e gjysmë më vonë se sa ishte planifikuar, sipas Flight Aware.