Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili ka shërbyer në këtë post gjatë viteve 2002-2007, ka folur mbi situatën e korrupsionit në vend dhe sjelljen e zyrtarëve ndaj akuzave.
Moisiu tha se, ndonëse ka qenë President i Republikës, vijon të jetojë në të njëjtën shtëpi të ndërtuar 53 vite më parë.
Ai vuri në dukje kontrastin e madh me zyrtarët e sotëm, përfshirë deputetët, të cilët sipas tij zotërojnë disa prona, shpesh të padeklaruara.
“E kam thënë se unë me atë shtëpi kam 53 vjet, por nuk është një shtëpi e keqe, por nuk është bashkëkohore. Ama nuk është sekret të them që jo figurat e larta, por edhe çdo deputet ka shtëpi në det, në mal e në kodër, disa të deklaruara dhe disa të padeklaruara – dhe me çfarë u bënë? Rrogat ne i dimë,” – tha Moisiu.
Ai kritikoi faktin që zyrtarët nuk japin llogari dhe i mohojnë akuzat duke i quajtur shpifje, përcjell Periskopi.
“Unë e vras mendjen të gjej mundësinë si të rregullohem. Më e keqja është se thonë se janë në rregull dhe janë shpifje. Këta të bëjnë edhe budalla.”