Policia e Kosovës ka bërë ndryshime në komandat e disa stacioneve policore në rajonin e Dukagjinit, si pjesë e riorganizimeve pas ngjarjeve të fundit në Pejë, Klinë dhe Prizren.
Sipas një përgjigjeje për RTV Dukagjinin nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës, Kapiten Faik Jahmurataj është emëruar Komandant i Stacionit Policor në Pejë.
Ndërkohë, Kapiten Enis Lluka është caktuar Komandant i Stacionit Policor në Klinë.
Po ashtu, Kapiten Afrim Sylaj, i cili më parë ka shërbyer në Stacionin Policor në Suharekë, është emëruar në pozitën e re në Qendrën Rajonale Operative në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
Këto emërime janë pjesë e masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës në kuadër të ristrukturimit dhe forcimit të udhëheqjes në nivel lokal, pas zhvillimeve të fundit në këto rajone.