Qeveria shqiptare ka miratuar ditën e sotme, kushtet e negocimit të shoqërisë shtetërore “KAYO” për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, KAYO do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët që do të krijojë me subjekte private.
Ajo mund të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme në masën jo më pak se 20 mijë metra katrorë. Ato do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, sipas parashikimit të Kodit Civil, por pa të drejtë tjetërsimi.
VKM-ja përcakton që “KAYO” gjatë procesimit të negocimit në çdo rast siguron minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të tre vjetëve, si dhe punësimin e 80 punonjësve.
Po ashtu duhet siguruar ofrimi i linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë.
Po ashtu duhet siguruar se objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
Çfarë është shoqëria “KAYO”?
Kompania u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan.
Ajo operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare.
Qëllimi është të krijojë një treg efikas dhe konkurrues për industrinë ushtarake, të integruar në tregjet rajonale dhe globale.
Objektivat kryesore të kompanisë janë disa, ndër to “ngritja, zhvillimi dhe forcimi i industrisë së prodhimit e të tregtimit të armëve, me qëllim sigurimin e nevojave të Forcave të Armatosura dhe ato të sigurisë në Republikën e Shqipërisë si dhe realizimit të fitimit ekonomik”.
Vendimi i plotë:
KUSHTET E NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E MUNICIONEVE TË KALIBRAVE TË VEGJËL E TË MESËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht:
a) një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 80 (tetëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 30% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO” sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat për të drejtën e vetos që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me municione nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi, përcjell Telegrafi.com
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.