Autori i librit Mevludin Hrniq “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, në një intervistë për Ekonomia Online rrëfen kalvarin e tij 80-ditor drejt shpëtimit.
“Më 12 korrik, në zonën “Stranicama četvrtih kvadrosvara”, ndodhi një lëvizje e menjëhershme dhe e papritur, një gjendje paniku dhe çoroditjeje. Aty nisi Golgota jonë, e burrave të rritur, të cilët u detyruam të kërkojmë shpëtim në rrugën drejt lirisë, rrugë që ishte e gjatë dhe e vështirë, drejt Tuzllës. Më 12 korrik në mbrëmje pata një natë të vështirë, pa gjumë, kur iu ekspozuam një sulmi të ashpër të artilerisë në një pyll, ku ndodheshim disa mijëra veta. E mbijetova edhe atë natë dhe atë ngjarje. Më 13 korrik, në një gjendje dëshpërimi, mendova të dorëzohesha, pasi kisha humbur shpresën se do t’i mbijetoj gjithë asaj. Por në momentin e fundit hoqa dorë nga ajo ide dhe ajo ditë për mua ishte ditë e rëndë dhe vendimtare. Që nga ajo ditë, rruga ime u kthye në një rrugëtim të gjatë për mbijetesë, rrugë e mbushur me dëshpërim, frikë, makthe dhe gjithçka tjetër. Jetova dhe mbijetova në ato thellësi pyjore të Podrinjes, me grupe të vogla, të shkëputura plotësisht dhe në izolim, duke mbijetuar nga ajo që na jepte natyra”, shtoi ai.
Ai kujton gjithashtu masakrën e 12 prillit 1993 ku humbën jetën mbi 70 vetë dhe betejat e ashpra të prillit, që paralajmëruan katastrofën që pasoi.
“Pati shumë momente të rënda, është e vështirë të veçoj ndonjërin. Por do të veçoja fundin e rrugëtimit: tri ditët e fundit kur ramë në linjën e armikut, ku na u bë një ndjekje e egër. Por ja mbijetuam. Tetëdhjetë ditë nuk janë pak. Sa i përket disa momenteve në Srebrenicë, i kam përshkruar në librin tim: më 12 prill 1993 ndodhi masakra në fushën e sportit. Ishte tmerr ajo që pashë, kur granatat copëtuan trupat e shumë njerëzve, duke lënë më shumë se 70 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Po ashtu kam përmendur 17 prillin dhe 23 prillin, betejat për Srebrenicën. Asokohe askush nuk e dinte që ato do të përfundonin me hyrjen e forcave në enklavën e Srebrenicës”, tha për EO, Hrniq.