Një bashkëpunim katër-vjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë ka përmbyllur me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër me palafite në Evropë.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, e vlerësoi përkushtimin e palës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për shkencën dhe për bashkëpunimin midis dy vendeve. Ajo theksoi se kjo nismë shkencore e Universitetit të Bernës është një bashkëpunim që gjithashtu rrit kapacitetet e institucioneve shkencore shqiptare.
Profesor Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, drejtues i ekipeve, tha se “gërmimet kanë dhënë përsëri rezultate shumë të mira”.
“Mund të konfirmojmë se ky se ky është vendbanimi më i vjetër në Evropë me materiale druri dhe organike të konservuara dhe është shumë special sepse gjetjet janë shumë premtuese”, u shpreh Profesori Hafner.
Profesori zviceran e cilësoi zonën e Linit si një nga sitet më të mirëruajtura në Evropë dhe me vlera të jashtëzakonshme për të kuptuar fillimet e qytetërimit në kontinent.
“Kemi gjetur material të bollshëm arkeologjik qoftë në nivelin qeramik, qoftë të veglave të punës, të kockave, të gurit”, u shpreh arkeologu Adrian Anastasi.
Gjatë misionit më të fundit, ekipet e arkeologëve kanë zhvilluar kërkime si gjatë bregut të Liqenit, ashtu edhe nën ujë.
“Disa nga gjetjet përfshijnë: Hapja e llogoreve tokësore, më shumë shtylla druri të tjera të shtëpive, shtresa qeramike arkeologjike të dekoruara me impreso – një nga format më të hershme të poçarisë. Kjo provon lidhje sitit të Linit me bregdetin Adriatik”.
“Një rrethojë e re që e çon në pesë numrin e unazave rrethuese (mbrojtëse) të sitit, zbulohen grumbuj të mëdhenj pishash të cilat mendohet se janë mbetje të një apo disa shtëpive, për herë të parë përputhen kronologjitë e unazave të pemëve të sitit të Linit me atë të Ohrit – dendrokronologjia po funksionon për distanca më të gjera, si dhe konfirmim që Lin 3 mbulon 2,000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6,000 – 4,000 para Krishtit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë.
Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, shkruan Klankosova.tv
Ky projekt, përtej vlerave shkencore, përfaqëson edhe një urë bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës në promovimin e pasurisë historike të rajonit, tha ambasada zvicerane në Tiranë.