Izraeli ka pësuar humbje të drejtpërdrejta ekonomike në vlerë prej 12 miliardë dollarësh pas luftës 12-ditore me Iranin, raportojnë mediat izraelite dhe burime zyrtare ekonomike të publikuara të mërkurën, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas raportimeve të Yedioth Ahronoth, Thesari izraelit ka absorbuar tashmë rreth 22 miliardë shekel (rreth 6.46 miliardë dollarë) në kosto të lidhura me luftën. Këto përfshijnë shpenzimet ushtarake, dëmet nga raketat iraniane, rindërtimin dhe kompensimet për qytetarët dhe bizneset e goditura.
Për të përballuar barrën financiare, qeveria izraelite pritet të rrisë deficitin buxhetor në rreth 6%, tejkalim i ndjeshëm nga kufiri prej 4.9% i vendosur nga Ministria e Financave.
Analistët paralajmërojnë se kostoja e përgjithshme mund të rritet deri në 20 miliardë dollarë, pasi të përfshihen edhe dëmet indirekte dhe kompensimet për humbjet civile dhe ekonomike.
Gjatë konfliktit, Irani lëshoi mbi 550 raketa balistike, nga të cilat vetëm 31 goditën zona të populluara. Sipas autoriteteve izraelite, 28 persona u vranë si pasojë e sulmeve iraniane, ndërsa qindra civilë humbën jetën në Iran si pasojë e bombardimeve izraelite.