Kryetari i Partisë Nisma, Fatmir Limaj, ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë në zgjidhjen e bllokadës politike që po zgjat prej më shumë se katër muajsh, duke ofruar tre votat e subjektit të tij në Kuvend, pa kërkuar poste qeveritare, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për “Ditari i Kosovës” në A2 CNN, Limaj tha se “jemi gati t’i japim tre votat tona për në Kuvend dhe jo t’i kërkojmë vend në qeveri Kurtit”, duke e cilësuar si të domosdoshme një zgjidhje që vjen nga vullneti politik dhe jo nga interpretimet kushtetuese apo ndërhyrja e institucioneve si Gjykata apo Presidenca.
Ai paralajmëroi se Kosova nuk ka luksin të merret me llogari të ngushta partiake ndërsa bota po ndryshon gjeopolitikisht. Limaj kritikoi edhe idenë për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e quajtur “një shaka që është bërë te presidentja”.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe përgjegjësi politike përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme.