Për herë të parë, flamingot kanë nisur të folezojnë në territorin tonë. Organizata “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”, shkruan se janë regjistruar plot 281 fole me vezë, të cilat pritet të çelin së shpejti.
Postimi i plotë i organizatës “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”

Ky lajm i mrekullueshëm nuk kishte nga të vinte tjetër, veçse nga laguna e Nartës, në të cilën flamingot kishin vite që tentonin të folezonin. Gjatë monitorimit të kolonisë së tyre u vu re që 281 foletë e regjistruara kishin vezë, të cilat pritet të çelin së shpejti.

Çelja e flamingove të vegjël në Nartë do të thotë se territori shqiptar nuk e ka këtë lloj vetëm si vizitor nga vendet e tjera, por kontribuon në qëndrueshmërinë e kësaj popullate në Shqipëri dhe Evropë, në rast se sigurohet mbarëvajtja e folezimit çdo vit.
Fatkeqësisht, çelja e parë e vezëve të flamingove në Shqipëri do të ndodhë në të njëjtin vit kur në habitatin e tyre u krye fluturimi testues i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nga qeveria shqiptare. Ai test i vetëm me një avion të vogël tregoi sesa tragjike do të jetë e ardhmja e popullatës së flamingove në deltën e Vjosës, nëse aeroporti nis të operojë rregullisht.

Flamingo është lloji më i ri që i shtohet listës së shpendëve folezues në Shqipëri, por ky sukses, i nxitur edhe nga puna konservuese e vendeve fqinje ku flamingo folezon, rrezikon të zhbëhet shumë shpejt nga fluturimi i avionëve mbi lagunë dhe tjetërësimi i Vjosë-Nartës nga zhvillimi i paqëndrueshëm