Një operacion kërkim-shpëtimi është përmbyllur me sukses në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pasi dy turiste të huaja humbën rrugën dhe u përballën me kushte ekstreme në shtegun ndërkufitar High Scardus Trail, përkatësisht në segmentin 3 pranë liqenit të Livadhit në Brezovicë.
Rreth orës 17:35, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) pranoi një thirrje për ndihmë emergjente përmes butonit SOS të pajisjes Garmin inReach, pasi njëra nga turistet – të identifikuara me inicialet N.S dhe K.M – kishte pësuar lëndim në këmbë, ndërsa moti i keq e kishte bërë të pamundur vazhdimin e ecjes.
Duke qenë se zona nuk mbulohet nga rrjeti i telefonisë mobile, thirrja për ndihmë u bë përmes pajisjes satelitore, duke përfshirë edhe dërgimin e koordinatave të vendndodhjes. Një skuadër e ShKShMK u nis menjëherë në terren dhe arriti në vendin e parë të raportuar në kohë rekord. Megjithatë, turistet nuk u gjetën në koordinatat e para, pasi kishin lëvizur drejt luginës në Gotovushë, në përpjekje për të ikur nga stuhia dhe për të kërkuar strehim – një veprim i ndërmarrë pavarësisht paralajmërimeve për të mos lëvizur.
Përmes teknikave të avancuara të komunikimit, u siguruan koordinata të reja dhe operacioni vazhdoi në kushte atmosferike shumë të vështira, në një lartësi mbi 2400 metra mbi nivelin e detit.