Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Genc Prelvukaj, duke i bërë një vështrim zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, e cilësoi situatën aktuale si shumë të rëndë.
Prelvukaj në intervistë për Ekonomia Online, tha se qeveria në detyrë ka paralizuar institucionet dhe ka krijuar një situatë të papranueshme për vendin.
Ai i bëri thirrje për një reflektim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për një qasje më konstruktive, duke shmangur kryeneçësinë dhe duke u bazuar në kompromis dhe negociata.
“Një gjendje shumë e keqe, shumë e rëndë, një gjendje, e cila shkaku i partisë në pushtet ka njëfarë lloj paralizimi të gjendjes institucionale. Përballë një situate komplekse rajonale, por edhe më gjerë, të merremi me gjëra të tilla është një kthim mbrapa, diçka që nuk mund të kthehet në produktivitet asnjëherë. Bëj thirrje që partia që sot e drejton vendin të reflektojë dhe të vendosë politikën funksionale mbi bazën e negociatave dhe kompromisit dhe jo kryeneçësisë. Kjo ka kaluar çdo normë normale. Është hera e parë që ndodh. Një situatë që do ta quaja për turp”, tha Prelvukaj.
Ai gjithashtu kritikoi kandidaten e propozuar nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, duke e quajtur propozim të papranueshëm, duke shtruar nevojën që Vetëvendosje të gjejë një kandidat më të pranueshëm.
“Qasja e kreut të mëhershëm të qeverisë ka qenë joadekuate, jo e pranueshme, qoftë si qasje, qoftë si shpresë apo mënyrë e komunikimit. Kandidati i propozuar që 13 herë nuk kalon. Ajo parti duhet të reflektojë, sepse edhe opozita ka shprehur qëndrimin se nuk ka tendencë për bllokimin e Kuvendit, por kandidati është i papranueshëm. Vetëvendosje nuk ka racionalitet brenda. Do të duhej ta ndërronte për një kandidat të pranueshëm. Ideja apo mendimi që ose siç them unë, ose nuk ka rrugë tjetër, kjo është primitive në politikë dhe e dënueshme, sepse asnjëherë nuk sjellë situata pozitive”, shtoi ai.
Prelvukaj shtoi se PDK-ja është gjithmonë e gatshme për zgjedhje të reja dhe përballimin e çdo sfide, duke pohuar se koha punon për ta dhe përgjigja e PDK-së është e qartë: Jemi gati për zgjedhje dhe për të ndihmuar në ngritjen e vendit
“E shoh edhe një gjë të çuditshme për vetë kandidaten për kryetare të Kuvendit. Nëse unë do të isha kandiduar dy herë dhe do të kisha rënë, atëherë unë do të shkoja personalisht tek kryetari i partisë e do t’i thosha që të mos i uli kreditet më shumë në diskursin publik dhe mos e blloko jetën institucionale të Kosovës, për shkak të apetiteve të mia. Nuk është çështja vetëm tek kryetari i partisë, por edhe te kandidati.
PDK-ja e ka bërë gjithmonë të qartë: kurdo që janë rrethanat për zgjedhjet e reja nuk heziton asnjëherë, sepse është një parti që beson në vete dhe në ngritjen e madhe. Koha punon për ne dhe përgjigja është e qartë: PDK-ja është jo vetëm për zgjedhje, por edhe për përballimin e çdo lloj sfide, përfshirë themelimin e qeverisë ”, tha për EO anëtari i Kryesisë së PDK-së, Genc Prelvukaj.