Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të njoftojë gjatë udhëtimit të tij në Arabinë Saudite javën e ardhshme se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë t’i referohen zyrtarisht Gjirit Persik si “Gjiri Arabik” ose “Gjiri i Arabisë”, sipas dy zyrtarëve amerikanë.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të forta nga udhëheqësit iranianë, të cilët e konsiderojnë ndryshimin një provokim të drejtpërdrejtë.
Ministri i Jashtëm aktual i Iranit, Abbas Araghchi, reagoi të mërkurën përmes një postimi në platformën X, duke e cilësuar vendimin si të motivuar politikisht dhe një përpjekje për të rishkruar historinë. “Përpjekjet e motivuara politikisht për të ndryshuar emrin historikisht të Gjirit Persik tregojnë qëllime armiqësore ndaj Iranit dhe popullit të tij dhe dënohen fuqimisht,” shkroi Araghchi.
Ai shtoi se emrat e rrugëve ujore të Lindjes së Mesme nuk nënkuptojnë pronësi kombëtare, por pasqyrojnë një trashëgimi të përbashkët të njerëzimit. “Çdo hap i pamenduar në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë vlefshmëri, efekt ligjor apo gjeografik, por vetëm do të shkaktojë zemërimin e të gjithë iranianëve, brenda dhe jashtë vendit,” tha ai.
Gjiri Persik ka qenë i njohur me këtë emër që nga shekulli i 16-të, por në disa vende arabe termat “Gjiri i Arabisë” ose “Gjiri Arabik” përdoren më shpesh. Në vitin 2012, Irani kërcënoi të padiste kompaninë Google për heqjen e emërtimit të këtij trupi ujor nga hartat e saj digjitale, transmeton Euronews Albania.

Ndërkohë, ushtria amerikane për vite me radhë ka përdorur termin “Gjiri Arabik” në komunikatat dhe materialet vizuale që publikon, duke reflektuar ndarjet politike në rajon.