Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me banorët e Gjirokastrës, ku u ndal te zhvillimet ekonomike dhe turistike të zonës, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë.
Rama nënvizoi se ky është një proces që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe që ka ndikuar në ndryshimin e perceptimeve ndërkombëtare për Shqipërinë.
“BE ka një makineri që është makineria më e madhe burokratike e botës, që ndjek 24 orë 7 ditë të javës çdo gjë. Nuk të falin as për sytë e bukur, as për detin Jon, sepse duan të dinë nëse ky shteti i ri që po fusim brenda përmbush standardet tona,” tha Rama, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së kërkesave të BE-së.
Ai më pas kujtoi se deri para një dekade, Shqipëria ishte në një pozicion të dobët në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përmendur se udhëheqësit europianë e shikonin vendin me një ndjesi përçmimi dhe keqardhjeje.
“Ishim një vend qesharak, që nuk kishte asnjë lloj pozicioni, asnjë lloj respekti,” shtoi Rama, duke theksuar se ky është ndryshimi i madh që ka ndodhur në vitet e fundit.
Kryeministri theksoi gjithashtu se procesi i shtetbërjes në Shqipëri po shkon drejt përmbylljes dhe se anëtarësimi në BE është një çështje e rëndësishme për forcimin e shtetit shqiptar. “Në momentin që BE të fut brenda, ti je bërë shtet,” përfundoi ai.