Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka sugjeruar se Rusia po “përgatit diçka” në Bjellorusi këtë verë.
“Këtë verë Rusia po përgatit diçka atje, nën mbulimin e stërvitjeve ushtarake”, ka thënë lideri ukrainas në një samit në Poloni, pa dhënë detaje, shkruajnë mediat e huaja,
“Kjo është se si zakonisht fillojnë sulmet e saj të reja”, ka shtuar ai.
Bjellorusia nuk besohet të ketë furnizuar me trupa drejtpërdrejt, për të luftuar në Ukrainë, por i lejoi trupat ruse të kalonin përmes kufirit të saj me Ukrainën kur filloi pushtimi në vitin 2022 – duke i lejuar Moskës një rrugë shumë më të drejtpërdrejtë për në Kiev, të cilën ajo nuk e shfrytëzoi.
Ndërkohë forcat ruse kanë rritur “dukshëm” intensitetin e aktivitetit të tyre ushtarak, ka thënë komandanti i lartë i Ukrainës.
“Pavarësisht deklaratave me zë të lartë për gatishmërinë për të pushuar zjarrin për festat e majit, pushtuesit kanë rritur ndjeshëm intensitetin e veprimeve luftarake, duke i fokusuar përpjekjet e tyre kryesore në drejtimin e Pokrovsk”, citohet të ketë thënë Oleksandr Syrskyi.
“… komanda ruse çdo ditë hedh njësi të reja në betejë, i çon ushtarët e saj drejt vdekjes, raporton për suksese dhe fitore iluzore”, shtoi Syrskyi, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, ai tha se Ukraina po e mbronte me kokëfortësi boshtin.
“Pavarësisht presionit të vazhdueshëm dhe përpjekjeve për t’u depërtuar, armiku vazhdimisht pëson humbje dhe tërhiqet”.