Kryeministri Edi Rama ka komentuar hetimin e nisur nga SPAK për një lobim 6 milionë euro në SHBA nga Partia Demokratike.
“Nuk është aspak e ekzagjeruar të flasësh për katastrofën që goditi Vlorën atë vit dhe që ende ka pasoja të thella. E njëjta dorë që shkaktoi atë plagë, është ajo që sot kërkon votën e shqiptarëve për interesat e tij personale.
Dhe, besoj se ju, ata që jeni këtu dhe ata që po e ndiqni këtë përballje, ndoshta jeni të habitur nga fakti që janë paguar plot 6 milionë euro. Po, ka një kontratë prej 6 milionë eurosh, thonë disa patriotë. Por kujtojmë se herën e kaluar, për 500 mijë euro, Luli u bë shënjestër e talljes. Tani, janë 6 milionë që kërkohen vetëm për të hequr damkën e një personi non grata, raporton Euronews Albania.
Mund të themi pa hezitim se janë shumë para, për të mos pyetur: Ku u gjetën këto para? Si mundet që, vetëm për të shpëtuar nderin e një individi, të paguhen më shumë para sesa shteti shqiptar i jep të gjitha partive politike së bashku?
Është një paradoks i çuditshëm kur mendon se pak kohë më parë u tha se do të vinte Trump, dhe për këtë arsye duhet të largoheshin të gjithë ata që janë non grata. Tani, po bëhen përpjekje që të shpenzohen 6 milionë euro për të mundësuar largimin e një individi nga lista e non grata. Por, qoftë ai të rrijë, qoftë të largohet, kjo nuk është çështja thelbësore për shqiptarët. Ata janë në një moment historik dhe duhet të marrin një vendim të rëndësishëm dhe të drejtë për të ardhmen e vendit të tyre”, tha Rama.