Deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj ka folur nëse do të ketë ndonjë propozim nga radhët e kësaj partie në seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit, në tentimin e katërt, pas dy dështimeve për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e legjislativit.
Para seancës konstituive, Brahimaj tha se AAK-ja e do ta votojnë Shqipe Selimin nga radhët e LVV-së nëse kjo e fundit do të jetë kandidate për të parin e Kuvendit.
“Unë e kisha votuar Shqipe Selimin nëse e propozojnë. Nëse jo, ne do të mbajmë këtë qëndrim”, tha Brahimaj.
Kujtojmë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj kishte përmendur emrin e Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit në seancën e kaluar për t’i votuar si kryetar të Kuvendit nëse ndonjëra prej tyre do të propozohej nga partia fituese.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi ish-ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e mjaftueshme në dy tentimet e para.
