Këtë vit pritet që vendin tonë ta vizitojnë deri në 15 milionë turistë,. Kjo si rezultat i shtrirjes së turizmit gjatë gjithë vendit dhe përgjatë gjithë vitit.
Agjencitë turistike të huaja ndërkohë, po lidhin kontrata garancie me vendin tonë për vitin 2026.
Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik Shqiptar:“Çdo partner ndërkombëtar, pra turet operatore që operojnë në Shqipëri dhe kanë Shqipërinë në kalendarin e tyre, duke i paraprirë punës, i prenotojnë hotelet një vit përpara. Në fillim të vitit shohin shitjet dhe bëjnë shtesat. Tani, në maj, ne fillojmë dhe lidhim kontratat për 2026-ën, por ka disa kompani që i lidhin kontratat për dy vjet. Pra që të jenë të garantuar, duke pasur parasysh që Shqipëria që ka mungesë kapacitetesh akomoduese, i lidhin kontratat për dy vjet, gjë që tregon se Shqipëria vazhdon trendin rritës”.
Agjencitë që po lidhin kontrata garancie për 2026-ën, nga cilat shtete janë?
“Janë tregjet tradicionale që janë polake, të cilët kanë kontraktuar hotele për 2026-ën. Tregje të tjera janë çekët. Edhe tregu spanjoll është konsoliduar dhe kërkesa ka ardhur në rritje, dhe ne nuk kishim besim kur kanë ardhur spanjollët për herë të parë, sepse Spanja quhet ‘Tokë e Diellit’. Dhe ç’është e vërteta treguan që janë shumë të konsoliduar dhe kanë ardhur nga viti në vit”.

Ndërkohë, disa turistë shprehen:
“Vijmë nga Indonezia për herë të parë në Shqipëri. Na treguan miqtë tanë për vendin tuaj. Po na pëlqen shumë Tirana, është shumë artistike dhe moderne. Ndërtesa të tilla nuk i shohim në Indonezi”.
“Në lajme nuk kemi dëgjuar të flitet mirë për shqiptarët, por kjo nuk është e vërtetë. Shqiptarët janë njerëz fantastikë dhe mirëpritës gjithandej”.
“Jetojmë në Bern, në Zvicër, por vijmë ndonjëherë këtu për të vizituar gjyshërit”, shkruan Top Channel.
Kush qytet ju duket më i bukuri në Shqipëri?
“Unë them është Saranda ose Vlora. Edhe Tirana me Durrësin janë shumë të bukur, por unë them ato që janë më shumë turistikë”.