Së fundmi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar ta pozicionojë vendin e tij si një pikë stabiliteti në një botë gjithnjë e më të trazuar, duke thënë se Turqia është thelbësore për sigurinë evropiane.
Erdogan tha gjithashtu se Turqia është në gjendje të shtrijë ndarjet gjeopolitike mbi Ukrainën, Sirinë dhe valën e fundit të tarifave amerikane që kanë ndezur një luftë tregtare globale.
Bëhet e ditur se Erdogan këto komente i dha në Forumin vjetor të Diplomacisë në Antalia.
“Vitet e fundit, Izraeli ka kryer hapur gjenocid kundër popullit palestinez, duke shpërfillur të drejtat themelore të njeriut dhe duke shkelur ligjin ndërkombëtar”, tha Erdogan.
Ai e përshkroi Izraelin si një “shtet terrorist” dhe denoncoi heshtjen e komunitetit ndërkombëtar.

“Të qëndrosh i heshtur përballë masakrave të Izraelit do të thotë të jesh bashkëpunëtor në këtë krim”, tha ai.
Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ndërmarrë veprime dhe t’i japë fund gjakderdhjes, duke u bërë thirrje atyre që “të qëndrojnë me popullin palestinez”, transmeton Telegrafi.com
“Edhe nëse është në luftë, a vepron kështu një shtet legjitim? A nuk quhet ky terrorizëm shtetëror? Prandaj Izraeli është një shtet terrorist”, përfundoi Erdogan.